Saturday, April 19, 2014

Myku ne lekure, kujdes nga plazhet dhe pishinat


Infeksionet mykotike janë të përhapura jo vetëm në Shqipëri, por në të gjitha vendet e botës. Mund ta quajmë si sëmundja e shekullit dhe e jetës së qytetëruar, pasi janë shtuar edhe faktorët që i favorizojnë dhe i përhapin këto lloj infeksionesh mykotike


Temperaturat e larta e djersa në këto ditë të ngrohta vere janë faktor risku për marrjen e infeksioneve. Përveç kësaj, plazhi dhe pishinat ndikojnë në shfaqjen e formave të caktuara të mykut të lëkurës. Në përgjithësi sëmundjet mykotike prekin gati njëlloj të gjithë ata që ekspozohen ndaj faktorëve shpërthyes. Ndaj kësaj sëmundje nuk ka imunitet gjinitë, preken meshkuj dhe femra, duke sjellë shqetësime të shumta. Për këtë mjekë dermatologë paralajmërojnë për rreziqet e infeksioneve të formave nga më të ndryshmet, të shfaqura edhe me komplikacione, prekin fytyrën, qafën, këmbët, etj. Ermira Vasili, shefe e Pavijonit të Dermatologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” shpjegon infeksionet mykotike, format e shfaqjes dhe trajtimet.
Sa të shpeshta janë rastet që shfaqen infeksionet mykotike?
Infeksionet mykotike, kryesisht këto të lëkurës, përgjithësi janë infeksione që trajtohen në shërbimin ambulator dhe jo në atë spitalor. Nuk mund të them statistika të sakta, megjithatë mund të konfirmoj se është e përhapur. Kjo është një sëmundje e përhapur jo vetëm në Shqipëri por në të gjitha vendet e botës. Mund ta quajmë si sëmundja e shekullit dhe e jetës së civilizuar, pasi janë shtuar edhe faktorët që i favorizojnë dhe i përhapin këto lloj infeksionesh mykotike, siç janë pishinat, plazhet, kampingjet, palestrat të gjitha këto bëjnë që infeksionet të përhapen më tepër gjatë këtyre viteve të fundit dhe sidomos në periudhën e verës.
Në çfarë rrugësh mund të merren këto infeksione?
Rrugët e marrjes së infeksioneve mykotike janë tri: nga njeriu te njeriu, nga toka te njeriu dhe nga kafshët te njeriu. Në varësi të këtyre rrugëve ndahen dhe klasifikohen infeksionet mykotike sipas lokalizimit dhe formave të ndryshme të tyre. Në përgjithësi infeksionet mykotike që merren nga kafshët vihen re në zonat rurale, në fshatrat, tek fëmijët që merren me kafshët. Kurse pjesa tjetër e infeksioneve që merren nga toka më tepër për ata që frekuentojnë pishinat, palestrat. Pastaj në ambientet familjare një person që është i infektuar me infeksionet mykotike, mund t’ia transmetojë edhe të tjerëve.
Praktikat e trajtimit?
Sot aktualisht praktikat e trajtimit, është shumë e thjeshtë të trajtosh infeksionet mykotike, mjafton që të vizitohesh tek mjeku dermatolog në rastin kur shikon një lëkurë të prekur të skuqur në trung apo në gishtat e këmbës. Infeksioni mykotik në gishtat e këmbës është më i përhapur, apo siç quhet këmba e atletit nga ka ardhur edhe origjina pra mbajtja për një kohë të gjatë e këmbëve në atlete, prandaj është quajtur e tillë. Në qoftë se e ke të krojtur nëpërmjet gishtave të këmbëve, lëkura plasaritet, acarohet, ripet, atëherë duhet drejtuar tek mjeku dermatolog në mënyrë që të mos avancojë. Pasi mund të shërbejë për të hyrë infeksione akoma më të rënda. Ka një gamë të tërë pomadash, kremrash antimykotik në varësi të gjendjes së përhapjes së infeksionit. Një ndër produktet të cilat trajtojnë mykozat dermike, sidomos në stinën e verës, është edhe Travazol krem i cili përbëhet nga dy molekula të cilat përthithen mirë nga lëkura:-Isoconasole si agjent antimykotik dhe Diflucortolone si agjent antiinflamtor duke u shndërruar në këtë mënyrë edhe preparati i përzgjedhur për trajtimin e mykozave të lëkurës të shoqëruara me ekzema. Ka përparësi pasi përbërësit antifugal kanë një spektër të gjerë veprimi dhe është i kombinuar me një pomadë që përdoret në disa lloj infeksionesh mykotike të alergjizuara që e përcakton mjeku. Nuk mund ta marri një person në farmaci pa rekomandimin e mjekut dermatolog në farmaci. ?
Llojet e mykut të lëkurës
Myku i lëkurës është infeksion i lëkurës, i cili shkaktohet nga disa lloj kërpudhash që quhen kërpudha dermatofite
1. Trichophyton (21 lloje) të cilat infektojnë lëkurën, flokët dhe thonjtë
2. Microsporum (17 lloje) të cilat infektojnë lëkurën dhe flokët
3. Epidermophyton floccosum e cila infekton lëkurën dhe thonjtë, po nuk shkakton infeksion të flokëve
Rrugët në të cilat merret myku
Rrugët kryesore nëpërmjet të cilave transmetohet myku i lëkurës janë tre
1. Transmetimi nëpërmjet njerëzve
2. Transmetimi nga kafshët tek njeriu
3. Transmetimi nga toka tek njeriu
Në varësi të llojit të myqeve varet edhe mënyra se si ato transmetohen tek njeriu. Gjithashtu, edhe problemet që myqet e ndryshme shkaktojnë në lëkurën e njeriut, janë të ndryshme, për pasojë edhe shenjat klinike që shfaq një kërpudhë e caktuar
Shkaktarët
Klima e nxehtë dhe e lagësht
Vendet me mbeturina
Djersitja e tepërt
Mungesa e higjienës personale
Plazhi dhe pishinat
Përdorimi i rrobave të përbashkëta
Rrobat sintetike të ngushta, këpucë plastike
Shenjat
Skuqje në vendin e shfaqjes së mykut
Çarje të lëkurës dhe krijohen disa flluska që pas disa ditësh zverdhen, pra qelbëzohen
Shfaqja e njollave kryesisht në zonën e ekstremiteteve të sipërme dhe pjesën e trungut
Njollat kanë ngjyra të ndryshme: kafe, të bardha dhe rozë. Ato kanë forma të ndryshme dhe duken si harta nëpër trup, gjë që nuk është estetike
Ndodh që të shfaqet edhe pruri i lehtë, por ky shfaqet kur djersit trupi
Më të rrezikuarit
Për sa i përket moshës, sëmundjet mykotike të lëkurës takohen më tepër tek të rriturit e më pak te fëmijët. Faktorët predispozues për shfaqjen e sëmundjes klasifikohen në të jashtëm dhe në të brendshëm. Ndër faktorët e jashtëm përmenden: përdorimi i rrobave të përbashkëta, si këpucë, pantofla, kapele, rroba sintetike të ngushta, këpucë plastike, të cilat krijojnë mikroklimë të disfavorshme dhe e bëjnë lëkurën më të ndjeshme ndaj infeksionit. Ndërsa si faktorë të brendshëm, më kryesori është mosha, pasi vihet re se shfaqja e këtyre sëmundjeve rritet me rritjen e moshës. Faktorë të tjerë të brendshëm janë dhe disa sëmundje: diabeti, mbipesha, pacientët që trajtohen me kortizonikë imunosupresore (për sëmundje të tjera)./standart/

No comments:

Post a Comment

nRelate Posts Only